Tensionet në Ukrainë, pas SHBA-së, Britania paralajmërojnë presidentin Putin

schedule16:25 - 31 Janar, 2022

schedule 16:25 - 31 Janar, 2022

Britania i bëri thirrje sot Presidentit rus Vladimir Putin “të tërhiqet nga ajo që po planifikon” për Ukrainën, duke paralajmëruar se çdo sulm i mundshëm, do të shoqërohej me pasoja ndaj kompanive dhe individëve rusë të lidhur me Kremlinin.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përpiqen t’i tregojnë zotit Putin se individët më të pasur të Rusisë, që i kanë pasuritë jashtë, do të përballen me sanksione, nëse trupat ruse futen në Ukrainë. Moska ka mohuar se synon të sulmojë Ukrainën, dikur ish republikë sovjetike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë përgatitur një listë të oligarkëve ruse në rrethin e ngushtë të Presidentit Putin, për t’i goditur me sanksione ekonomike, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se kërcënimi me masa të tilla do të ishte i ngjashëm me një sulm ndaj biznesit rus dhe të sillte pasoja të padëshiruara pasi do të dëmtonte kompanitë britanike dhe aksionerët perëndimorë.

Që nga shpërbërja e ish Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Londra është bërë një nga qendrat kryesore ku dërgohen paratë nga ish republikat sovjetike.

Kundërshtarët e Presidentit Putin vazhdimisht i kanë bërë thirrje Perëndimit të marrë masa ndaj oligarkëve rusë. Megjithatë listat e sanskioneve tregojnë, se fuqitë kryesore ushtarake të Evropës, Britania dhe Franca, vazhdojnë të mbajnë qëndrime më të buta ndaj bizneseve ruse se sa Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2014, për shembull, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë, Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj Igor Sechin-it, drejtorit ekzekutiv të firmës më të madhe ruse të prodhimit të naftës “Rosneft”. Bashkimi Evropjan dhe Britania nuk kanë vënë saknsione ndaj tij, që është një prej njerëzve më të fuqishëm në Rusi./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!