Ekspertja Juxhina Sotiri tha se deklaratat e Trump tregojnë një qasje të re të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndryshimin e regjimeve diktatoriale, ku theksi vihet te vullneti i popullit iranian dhe jo te imponimi i një lideri nga jashtë.
Sipas saj, qëllimi është një tranzicion drejt një regjimi më sekular dhe me më shumë liberalizime në të drejtat e njeriut në Iran.
Ajo theksoi gjithashtu se pas goditjes së Iranit ndaj bazave amerikane në vendet e Gjirit, efekti rezultoi i kundërt, pasi këto vende u afruan më shumë me SHBA-në dhe Izrael.
“ Deklaratat e Trump tregojnë për një qasje të re të SHBA-ve për ndryshimin e regjimeve diktatoriale. Qëllimi kryesor nuk është vendosja e një lideri nga jashtë, por kërkohet të vijë nga populli iranian. SHBA kërkon që vendi të qeveriset nga të ngjashmit e tyre.
Jemi më afër një ndryshimi dhe një tranzicioni ku ajo që synohet më tepër në konceptin tonë ka të bëjë me kalimin nga një regjim që të jetë sekular apo laik dhe të kemi disa liberalizime në të drejtat e njeriut.
Kalkulimet dhe analizat e suksesit apo dëmit nga beteja u kalkuluan më mirë nga Trump sesa nga Irani. Para se të ndodhte sulmi kishte pikëpyetje nëse vendet e Gjirit do të rreshtoheshin ndaj SHBA-së dhe Izraelit; tani themi se goditja e Iranit ndaj bazave amerikane në këto vende solli një efekt të kundërt, pasi i bashkoi këto vende dhe i bëri aleatë potencialë të SHBA-së.”


