Tensionet me Iranin, SHBA shton praninë ushtarake

schedule20:15 - 18 Qershor, 2019

schedule 20:15 - 18 Qershor, 2019

Tensionet në rritje me Iranin kanë detyruar Shtetet e Bashkuara që të rrisin praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Vendimi i administratës amerikane vjen një ditë pasi Republika Islamike paralajmëroi se do të tejkalojë limitet e procesit të pasurimit të uraniumit, që shërbejnë për prodhimin e armëve bërthamore.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 1 mijë trupa të tjera në Lindjen e Mesme, teksa tensionet me Iranin vazhdojnë të rriten. Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Patrik Shejnahan ka deklaruar se dërgimi i trupave është një përgjigje ndaj “sjelljes armiqësore” të forcave iraniane. Marina amerikane publikoi gjithashtu imazhe të reja që sipas saj lidhin Iranin me sulmet e javës së kaluar ndaj dy anijeve-cisternë në Gjirin e Omanit. Uashingtoni ka akuzuar Iranin se përmes minave ka dëmtuar dy anijet tregtare, akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.

Ndërkohë, tensionet u rritën edhe ditën e hënë, kur Republika Islamike deklaroi se javën e ardhshme do të tejkalojë limitet e pasurimit të uraniumit, të caktuara në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila Uashingtoni u tërhoq vitin e kaluar. Presidenti Hasan Ruhani deklaroi se vendi i tij nuk kërkon të bëjë luftë me as kënd dhe deri më sot i ka qëndruar besnik detyrimeve ndërkombëtare, por situata sipas tij po ndryshon.

Ndërkohë, gjatë natës tre raketa goditën një bazë ushtarake në veri të Bagdadit ku ndodhen trupat amerikane. Shtetet e Bashkuara deklaruan se ishte një “zjarr indirekt” që nuk shkaktoi lëndime në njerëz. Asnjë grup nuk mori përsipër kryerjen e sulmit, që erdhi pas paralajmërimeve amerikane për një rritje të kërcënimeve ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara në Irak nga milicitë e mbështetura nga Irani. /ABC News Albania24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!