Tenori kosovar pas koncertit në Shkup: Nuk punoj me jo profesionistë

schedule19:05 - 6 Prill, 2019

schedule 19:05 - 6 Prill, 2019

I planifikuar të mbahej me Orkestrën e Operës së Maqedonisë, koncerti i tenorit kosovar Ramë Lahaj në Shkup ka qenë në prag të dështimit. Tenori me nam botëror nuk është shoqëruar nga orkestra. Ramë Lahaj për Klan Maqedonia është shprehur i zhgënjyer nga orkestra, por ka bërë të ditur se një mentalitet i këtillë nuk ka ndalur dot mbajtjen e koncertit.

Ramë Lahaj, tenor: Nuk punoj me një orkestër që gjysma rri në telefon, gjysma nuk ka partiturë. Dikush ka partiturë por luan gabim, domethënë tek unë është e papranueshme. Unë kisha kolegë, më duhej një pianist për ta shpëtuar koncertin sepse nuk na ndalin dot.

Në këtë mënyrë tenori me famë botërore Ramë Lahaj e ka arsyetuar mungesën e orkestrës të Operës së Maqedonisë në koncertin tij në Shkup. Ai la të kuptohej se muzika flet me gjuhën universale dhe i vjen keq për një mentalitet të këtillë.

Ramë Lahaj: Mua më vjen keq për orkestrën. Më vjen keq akoma që në këtë anë ka akoma tentativa për të penguar nismat e mira shqiptare. Mua më vjen shumë keq sepse këtë teori e kemi lënë mbrapa në Kosovë dhe nuk ka funksionuar. Këta e kanë shembullin që ajo nuk ka funksionuar.

Versioni zyrtar i krejt kësaj kanë qenë problemet teknike. Në atë të prapaskenës është përmendur edhe sabotimi nga ana e orkestrës, por edhe dështim i organizatorit. Në koncertin që ka hapur festivalin “Skena e muzikës serioze shqiptare” pos Lahajt kanë interpretuar edhe sopranoja Venera Gimadieva baritoni Bogdan Baciu e mezzo-soprano Irena Kavkalevska. Festivali në edicionin e tij të shtatë do të ketë gjithsej shtatë koncerte në Shkup./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!