Marat Safin ka qenë një tenist shumë i talentuar. Rusi fitoi dy Grande Slam gjatë karrierës së tij: US Open në vitin 2000 përballë Pete Sampras dhe Australian Open në vitin 2005 përballë Lleyton Hewitt. Sot punon si trajner tenisi dhe merret me politikë.
39-vjeçari ka dhënë një deklaratë të bujshme për Sports.ru, duke akuzuar se koronavirusi është një “prodhim” nga dora e njeriut dhe gjithçka është planifikuar prej kohësh.
“Ka një plan të qartë, gjithçka është përgatitur për të implementuar mikroçipe te njerëzit. Në vitin 2015, Bill Gates deklaroi se do të kalonim një pandemi. Nuk mendoj se ai është një fallxhor.
Të gjithë e dinin dhe po përgatiteshin për këtë. Simulimet u kryen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, dy javë para se virusi të njihej në të gjithë botën. Njerëzit janë përfshirë nga paniku dhe besojnë atë që thuhet në televizion. Ata do të vaksinohen me nanoçip.
A kanë dijeni të gjithë liderët e vendeve? Ka burra më të fuqishëm se liderët politikë. Ata që më të vërtetë administrojnë paratë janë pronarët e vërtetë të botës. Nuk po i shpik unë këto gjëra, ekziston gjithçka në internet”, përfundon Marat Safin. /abcnews.al