Triumfi në “Australian Open” duket se ishte vetëm i pari, në këtë vit që pritet të jetë historik për të. Tenisti italian, Jannik Sinner ka arritur të triumfojë një tjetër trofe madhor, për vitin 2024, teksa arriti të ngrejë kupën e “ATP Masters 1000 Miami”, me 22-vjeçarin, që mposhti lehtësisht në finale bullgarin, Grigor Dimitrov, me rezultatin e pastër, 2 me 0.
Seti i parë i takimit ishte i vetmi moment i ndeshjes ku pati pak rivalitet, me Dimitrov që e nisi më mirë takimin, por shpejt u përmbys nga Sinner, duke e mbyllur në 6-3. Me nisjen e setit të dytë, italiani nuk e kursey në asnjë moment kundërshtarin e tij duke e mundur me rezultatin 6-1, për të siguruar kështu trofeun e tretë për këtë vit, pas “Australian Open” dhe “ATP Masters 500 Rotterdam”.
Siç theksuam edhe më sipër, viti 2024 mund të konsiderohet pa asnjë pikë dyshimi, si viti më i mirë në karrierën e Sinner, pasi tani 22-vjeçari italian do të presë përditësimet e renditjes botërore, ku pritet të jetë numri 2 i botës pas Novak Djokovic dhe zbritur nga një shkallë e podiumit talentin spanjol, Carlos Alcaraz. /i.m /abcnews.al