Tenderi 400 mijë $ në SPAK, kuzhinieri i famshëm flet për Abcnews.al: Sulm politik! Po djali i Agollit?

schedule11:24 - 2 Shkurt, 2022

schedule 11:24 - 2 Shkurt, 2022

Kuzhinieri i famshëm Alfio Rrotani i cilëson politike dhe sulme me pagesë lajmet në media dhe deklaratat nga Partia Demokratike për tenderin me vlerë 400 mijë dollarë që fitoi nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit për të krijuar menunë e “100 Fshatrave”.

Në një prononcim për Abcnews.al, kuzhinieri tha se lajmet nuk kanë asnjë bazë. “Janë komplet lajme të rreme, pa asnjë bazë konkrete. Por sa të mbarojë kjo do të jap edhe unë përgjigjet e mia”.

Ai beson se gjithçka është me qëllim. “Normalisht me qëllim. Jemi mësuar, e kemi parë. Unë mendoj se kjo është më shumë politike. Por unë nuk merrem me politikë” tha ai.

Gara u kompromentua për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH, Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj i regjistruar me emrin “Beach Bedoun Bar”. Por kuzhinieri e mohon ndikimin. “Unë njoh gjysmën e Shqipërisë, sepse bëj konsulenca.

Lexo edhe: Restoranti i djalit të Dritan Agollit “zhduk” fotot e kuzhinierit që fitoi tenderin 400 mijë dollarë

Nuk ka pasur fare ndikim, fare. Projekti është 3 vjeçar, kam ndërtuar një ekip, është një projekt shumë i bukur për të ndërtuar kuzhinën tradicionale shqiptare, do i lëmë një pasuri Shqipërisë. Po flasim për të çuar në UNESCO një pjatë tipike shqiptare”.

Megjithatë, pavarësisht se Rotani e cilëson sulm politik, SPAK sot nisi hetimet. Kuzhinieri shprehet se është gati që të shkojë të dëshmojë nëse do të thirret nga prokuroria. “Patjetër që po. Nuk kam gjë për të fshehur. Cdo gjë në jetë e kam arritur me punë” përfundoi ai.

Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti u shpall fituese e tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Tenderi tani është në dorën e SPAK-ut.

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!