Vijon operacioni “Tempulli”. Mësohet se këtë të diel janë arrestuar katër persona në Kurbin dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë.
Këta shtetas kishin përshtatur një lokal për përdorim dhe shitje të drogërave. Ndërkohë, po vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit.
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë/ Vijon zbatimi i planeve operacionale “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në të gjithë territorin e qarkut.
-Në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është goditur një tjetër rast i përshtatjes së lokalit, për përdorim dhe shitje të drogave.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine, në lokal. Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit.
Gjithashtu është vënë në pranga një shtetas tjetër që është kapur në flagrancë në Laç, me doza kanabisi.
Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.
-Në Lezhë, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për vepra penale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të krimeve ndaj personit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, vijojnë kontrollet e shtuara në të gjithë qarkun, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat i kontrolleve:
-në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, janë goditur 2 raste të veprimtarive në fushën e narkotikëve.
•Në Fushë Gjormë, është evidentuar një lokal i përshtatur për përdorim dhe shitje të drogave. Në vijim të veprimeve për këtë rast është shpallur në kërkim pronari i lokalit, shtetasi 36 vjeç, banues në Kurbin, janë arrestuar në flagrancë shtetasit 27 vjeçe, banuese në Krujë (menaxhere e lokalit), 32 vjeç banues në Kurbin dhe 33 vjeç banues në Lezhë, si dhe u procedua penalisht në gjëndje të lirë shtetasi 37 vjeç, banues në Kurbin.
Gjatë kontrollit në lokal, kontrollit fizik të këtyre shtetasve si dhe kontrolleve në automjete e banesat e tyre, janë gjetur dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis./abcnews.al