Viroza stinore ka shtuar numrin e pacientëve të vegjël në Pediatri. Konfirmimi i variantit Delta në vendin tonë ka shtuar shqetësimin e qytetarëve të cilët kërkojnë të marrin tamponin për të kuptuar nëse janë të infektuar apo jo me këtë mutacion të Covid.
Ditët e fundit rastet e paraqitura në Urgjencën e Pediatrisë së Durrësit janë rritur. Rreth 120-150 fëmijë të moshave të ndryshme paraqiten në ditë në Pediatri.
Gazetari i “ABC” Leonidha Musai tha se 7 deri në 10 pacientë të vegjël shtrohen çdo ditë në Pediatri. Gjithashtu në Urgjencë paraqiten vetëm ata fëmijë që kanë simptoma më të rënda pasi pjesa tjetër u drejtohet mjekëve të familjes.
Ndërsa shumica e personave që ndjejnë simptoma të ngjashme me Covid paraqiten në Urgjencën e Durrësit.
Po ashtu edhe në Korçë ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve të paraqitura në Pediatri.
Gazetarja e “ABC” Ledjona Xheladinaj tha se rreth 50-60 pacientë në ditë paraqiten në Pediatrinë e Korçës për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të virozave të stinës.
Po ashtu ka edhe të rritur që janë paraqitur pranë mjekëve me simptoma të virozave.
Situata është problematike, për shkak se është e vështirë për të bërë dallimin midis virozës dhe virusit Delta dhe në këtë mënyrë qytetarët i nënshtrohen tamponëve.
Mjekja Pediatre Xhentila Doka ka thënë se moshat e paraqitura janë fëmijë 3-vjeç me të vjella dhe temperaturë. Ajo më tej ka thënë për gazetaren Ledjona Xheladinaj se prindërit duhet të kontaktojnë me mjekët dhe në këto temperatura të larta duhet të tregojnë kujdes dhe konsumojnë sa më shumë lëngje.
Nga ana tjetër, për shkak të dyshimeve për “Deltën” autoritetet në Lezhë kanë shtuar numrin e tamponëve.
Në Urgjencë ka një numër të shtuar të pacientëve. Çdo ditë paraqiten më shumë se 80 urgjenca, raportoi gazetari i “ABC” Gjergji Figuri.
Gjithashtu edhe në Fier është raportuar një numër i lartë i fëmijëve në Urgjencat Pediatrike.
Gazetarja e “ABC” Valbona Davidhi bën me dije se rreth 120 pacientë të vegjël i drejtohen pediatrisë për të marrë mjekim shëndetësor.
/abcnews.al/