Temperatura rekord në hemisferën veriore të planetit

schedule17:25 - 30 Korrik, 2018

schedule 17:25 - 30 Korrik, 2018

I nxehti po alternohet me reshje të dendura dhe përmbytje ndërkohë që në hemisferën veriore të planetit janë shënuar temperatura rekord. Ekspertët paralajmërojnë për fenomene ekstreme, thatësira dhe përmbytje të mëdha.

Një i nxehtë anormal në Europë dhe dy viktima në Britaninë e Madhe. Në Berlin është regjistruar temperaturë rekord prej 38 gradë celsius, njësoj si në Paris, ku disa kabina elektrike kanë marrë flakë duke lënë në errësirë 16 mijë banesa. Në Tunelin e Le Mansh temperaturat e larta kanë shkaktuar problem për lëvizjen e trenave me shpejtësi të lartë. Fushat në parqet e Londrës, që zakonisht janë jeshile, janë shndërruar në pjesëza shkretëtire, ndërsa në Gjermani zjarret kanë djegur fushat me grurë.

Ditët e fundit, bilanci më tragjik është ai i Greqisë me rreth 100 viktima për shkak të zjarreve. Zjarre ka pasur dhe në Suedi, ndërsa janë me dhjetëra viktimat në Japoni për shkak të temperaturave të larta. Dhe Kalifornia shënon dy viktimat e saj për shkak të zjarreve dhe është urdhëruar evakuimi i rreth 40 mijë personave nga banesat e tyre.

Klima e nxehtë që ka përfshirë hemisferën veriore të planetit do të vazhdojë dhe në ditët në vijim sipas ekspertëve të Organizatës Botërore të Meterologjisë, të cilët theksojnë se vala e të nxehtit është regjistruar vetëm në një zonë të planetit. Parashikimet thonë se temperaturat do të jenë të larta mbi mesataren dhe në ditët në vijim.

Në Indi, bilanci i viktimave si pasojë e përmbytjeve ka shkuar në 58, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Reshjet e dendura prej ditësh kanë pushtuar veriun e vendit një nga zonat më të populluara. Sipas parashikimeve metereologjike, reshjet do të vazhdojnë për të paktën 48 orë të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!