Telushi: Kush ka frikë, të mos shkojë në luftë! Gega trajner? Vendos Demi

schedule13:39 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 13:39 - 17 Dhjetor, 2019

Bruno Telushi rikthehet i gatshëm për Partizanin, pasi mungoi në derbin me Tiranën. Mesfushori u shfaq sot para mediave dhe foli për momentin e keq të të kuqve, si dhe për largimin e trajnerit Franco Lerda dhe të Jasit Asani. Fjala frikë nuk ekziston në fjalorin e vlonjatit, i cili e di shumë mirë se Teuta mundet duke dhënë më të mirën në fushën e blertë.

MOMENTI I VËSHTIRË – “Të them të drejtën, as i lehtë nuk është. Mos ta bëjmë më të vështirë seç duhet. Janë dy humbje radhazi, që kishte kohë që Partizani nuk i provonte. Ekipi dinte të reagonte gjithmonë pas një humbjeje. Mendoj se është një moment ku duhet të tregojmë veten sa të fortë jemi si grup dhe si ekip”.

KRISJA E EKIPIT ME LERDËN – “Kjo pjesa e shkarkimit i takon klubit, që bëri zgjedhjen e vete. Për ato krisjet, çfarë kanë qenë, apo çfarë kanë dalë në media, mendoj t’i vëmë kapakun këtu dhe të mos shohim më mbrapa. Ajo që iku, iku. Trajneri Lerda e mbylli dhe unë i uroj suksese. Nuk dua të kthehem mbrapa, tek ato që kanë ndodhur”.

DIFERENCA ME KUKËSIN – “Normalisht që është e rikuperueshme. Janë shumë ekipe afër. Siç na kapën të tjerët ne, edhe ne mund t’i kapim”.

TEUTA – “Nuk ishte befasi ai barazim. Ne bëmë një ndeshje të mirë, edhe me 10 lojtarë. Do jetë një ndeshje e vështirë, pasi edhe ata vijnë nga një humbje. Them se do të jetë ndeshje e vështirë. Nuk duam ta marrim këtë ndeshje si jetë a vdekje.  Do mundohemi të japim maksimumin tonë dhe nëse ndodh kjo, atëherë ndeshja bëhet shumë e lehtë. Ne e dimë forcën e grupit. Nëse japim maksimumin, atëherë nuk kemi çfarë i kërkojmë më vetes”.

GJENDJA PSIKOLOGJIKE – “Ana psikologjike është e mirë. Pavarësisht asaj që ndodhi në derbi. Nuk ishte e lehtë. Pasi kishim kaq shumë kohë që nuk humbnim. E kemi lënë pas atë ndeshje dhe po mendojmë për të radhës. Nuk kam frikë nga ndeshja e radhës. Unë kam këtë karakter. Nëse ke frikë, më mirë mos shko fare në luftë. Frika duhet lënë pas dhe të shkosh të bësh ndeshjen tate, të mirë, siç e përgatisim. Frika nuk qëndron aspak tek ne”.

KËRKESA E TIFOZËVE PËR GEGËN – “Normalisht tifozët Gegën do kërkojnë, pasi ai ishte trajneri që nxori Partizanin kampion pas kaq shumë vitesh. Mendoj se pjesa e trajnerit i takon klubit, presidentit. Ai vendos”.

LARGIMI I ASANIT – “E vërtetë që shkon jashtë Asani. Vlerat e tij kanë qenë shumë domethënëse, e ndihmonte shumë ekipin. Në grup ka edhe lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojë. Grupi është më i rëndësishëm se individi”.

DERBI ME TELUSHIN NË FUSHË – “Ndoshta dilte njëlloj ndeshja, ca gjëra janë edhe të shkruara. Po të isha unë, do jepja maksimumin tim. Mund ta kishim bëtë edhe më të lehtë ndeshjen, pasi e njoh derbin. Kjo është e gjitha”, ka përfunduar Telushi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!