Të veçantat e Tokyo 2020: Rekord 113 vjeçar për britanikët dhe medalje për shtetin me 60 mijë banorë

schedule13:58 - 27 Korrik, 2021

schedule 13:58 - 27 Korrik, 2021

Lavdinë e arrijnë me qindra, por disa prej tyre janë ndryshe. Në garat e fundit në Lojërat Olimpike në Tokio mund të veçohet suksesi i dy notarëve britanikë dhe i një sportisteje nga Bermuda.

Britaniku Tommy Dean ia doli ta prekte i pari murin e pishinës dhe të shpallej kampion e fitues i medaljes së artë në garën e 200 metrave stil i lirë.

Një kënaqësi maksimale për notarin që triumfoi në “Tokyo 2020”, ndërsa për Britaninë e Madhe e tifozët e tij, gëzimi ishte i dyfishtë. Në vend të dytë doli Duncan Scott dhe ky sukses “dopio” nuk ndodhte për britanikët që para 113 viteve, në Olimpiadën e vitit 1908.

 

Dean fitoi me kohën 1’44”2 duke thyer rekordin britanik, ndërsa Scott ishte fare pranë tij me vetëm 4 të qindat më shumë. Fernando Seffer i Brazilit fitoi medaljen e bronzit. E veçanta tjetër erdhi në garën e triatlonit për femra.

Në vend të parë doli një vajzë me emrin Flora Duffy, që përfaqësoi Bermudën, arkipelagun në jugun e Oqeanit Atlantik, dhe që është dominion britanik.

 

Triatletja e Bermudës fitoi medaljen e artë në garën që përbëhej nga noti, çiklizmi e vrapimi, e cila fillimisht u cilësua si e rrezikuar për t’u anuluar për shkak të një stuhie në Tokio.

Gjithçka përfundoi mirë dhe triumfatore ishte Duffy, përfaqësuese e një vendi me vetëm 64 000 banorë, vendi më i vogël në histori që fiton një medalje ari.

Po ashtu ishte medalja e parë e artë e fituar nga Bermuda. Flora Duffy është 33 vjeç dhe kampione e shumëfishtë botërore duke thyer rivalet në konkurrimin e ashpër prej 1500 metrash not, 40 kilometrash çiklizëm e 2.5 kilometrash vrapim. /abcnews.al