Shqipëria synon të nxisë pagesat me kartë me qëllim uljen e informalitetit dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Gjatë prezantimit të programit të bashkëpunimit me Mastercard Europe, që parashikon tu mundësojë bizneseve pajisje për pagesat elektronike, kryeministri Edi Rama tha se ka ardhur koha që nëpërmjet digjitalizimit të thjeshtohet dhe përmisohet sistemi i pagesave.
“Kemi të dhëna shumë të frikshme negativisht përsa i përket përdorimit masiv të cash, ndërkohë që e dhëna pozitive është se kur ne kemi marrë detyrën, kanë qenë rreth 30% e qytetarëve me llogari bankare, sot ka shkuar në 80%. “
Sipas kryeministrit pagesat me kartë janë një domosshmërinë që një kohë që Shqipëria po përballet me një fluks të shtuar turistësh.
“Shqipëria në turizëm është sot në maj, si vendi me rritjen më të lartë në turizëm mes një grushti vendesh. Nga ana tjetër konstatojmë se rritja e të ardhurave nga turizmi ka shkuar në 5 miliardë, mirëpo vetëm 4% e transaksioneve bëhen me kartë krediti, dhe kjo tregon sa i madh është boshllëku dhe sa shumë para të cilat nuk i takojnë atyre që i mbajnë, duhet tu shkojnë mbrapsht qytetarëve, gjë për të cilën ne besojmë se digjitalizimi i pagesave është instrument themelor.”
Aktualisht në Shqipëri rreth 80% e pagesave realizohen në mënyrë digjitale. Sipas qeverisë nga 2 pagesa digjitale për frymë kur mazhoranca erdhi në pushtet, tani bëhen 28 pagesa për frymë dixhitale. Sipas Bankës Botërore, sa më shumë të rritet shërbimi i pagesave dixhitale, aq më shumë kursehet në nivel ekonomik.
/ abcnews.al