Një sulm i armatosur në qendër të një qyteti të Kanadasë u ka marrë jetën 4 personave, mes të cilëve 2 oficerë policie. Bëhet fjalë për incidentin e radhës me armë zjarri të verifikuar në Kanada, pas atij të korrikut në Toronto, ku 2 vetë mbetën të vrarë dhe 13 të plagosur.
Katër persona mbetën të vrarë mëngjesin e së premtes në Frederikton të Kanadasë, ku një person qëlloi me armë zjarri ndaj njerëzve në mes të qytetit. Sipas raportimeve të mediave lokale, mes viktimave rezultojnë edhe dy oficerë policie, që humbën jetën në përpjekje për të ndaluar agresorin. Ky i fundit është vënë në pranga nga forcat e rendit, por motivet e veprimit të tij janë ende të paqarta. Pak orë pas arrestimit, autoritetet lokale i dhanë fund izolimit të zonës dhe shfuqizuan urdhërin e dhënë më herët për qytetarët që të qëndronin në shtëpitë e tyre. Gazetari i një televizioni lokal deklaroi se kishte dëgjuar katër të shtëna pak pas orës 7 të mëngjesit, me orën lokale.
Frederikton është kryeqyteti i provincës Nju Brunsvik, ku numërohen rreth 56 mijë banorë. Vrasjet e oficerëve të policisë në krye të detyrës janë të rralla në Kanada. Nga viti 1961 deri në 2009 në vend janë vrarë në total 133 policë, 5 prej të cilëve në provincën Nju Brunsvik. “Një lajm i tmerrshëm vjen nga Frederikton”, ka qenë komenti i kryeministrit Justin Trudeau në Twitter. “Zemra ime është me njerëzit e prekur nga kjo tragjedi, të cilën po e hetojmë”, ka thënë ai. Ligji për armët në Kanada është më i fortë se ai në Shtetet e Bashkuara, por numri i incidenteve të armatosura është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Në vitin 2014 në Nju Brunsvik, 24-vjeçari Justin Boroque hapi zjarr ndaj 5 oficerëve të policisë, duke vrarë tre prej tyre. Sulmi bëri që forcat e rendit të ndërmerrnin një operacion kërkimi që zgjati 28 orë, në përfundim të të cilit policia kanadeze u akuzua për shkelje të kodit të punës, për faktin se agjentët e saj nuk ishin të armatosur me instrumentet e duhura për t’i bërë ballë situatës./abcnews.al