Të rinjtë e Përrenjasit lënë tokat e tyre djerrë për të mbjellë të huajat, banori: Fëmijët i kam në Greqi

schedule15:15 - 4 Dhjetor, 2022

schedule 15:15 - 4 Dhjetor, 2022

Nga Agim Blloshmi

Të rinjtë e fshatrave të Përrenjasit lënë tokat e tyre djerrë dhe punojnë në Maqedoni dhe Greqi. Gjatë sezonit të mbjelljeve ata fitojnë më shumë para duke punuar në tokat e huaja.

“Kam një hektar e dy dynym, nuk e kam punuar se plehrat janë të shtrenjtat, farat janë të shtrenjta. Fëmijët janë larguar janë në Greqi. Unë s’kam mundësi t’i punoj se po shkoj 75 vjeç, s’vij dot më vërdallë nëpër fushë.”

Fermerë të tjerë të fshatit Kotodesh po mbjellin drithra sa për të ushqyer familjet e tyre. Po e punojnë tokën me krahë, pasi prej çmimit të lartë të naftës nuk kanë mundësi të paguajnë makineritë bujqësore.

“Në vend që të fusja zetorin e bëj me krahë se nuk e përballoj dot. Se dhe fëmijët njëherë punojnë, njëherë s’punojnë. Njëri në Maqedoni dhe ai me vështirësi.”

“Populli ka mbjellë pak, po çmimet janë të shtrenjta. S’jemi fermerë të mëdhenj që të marrim subvencione.”

“Duhet të verë dorë shteti, të ulen pak çmimet e plehërave, se do ngelen tokat. Unë 65 vjeç jam nuk kam fuqi më të punoj në arë.”

Eksperti i bujqësisë, Osman Boçi thotë se qeveria duhet të kujdeset më shumë për bujqësinë.

“Bujqësia është e ardhmja e popullit. Ullinjtë tanë bien në tokë. Prodhohet vaj i shkëlqyer. Popullit i sjellin vaj palme, luledielli nga Ukraina. Në vend të mbledhim ullinjtë tanë, populli ushqehet me vaj palme. Këtë janë të paditur ose janë të dhënë pas fitimeve.”

Këtë vit fermerët në të gjithë vendin po përballen me vështirësi prej çmimeve të rritura të imputeve apo dhe naftës./abcnews.al/