“Të rihetohet 21 Janari”/ Krrashi: Besueshmëria është e madhe për SPAK. I pamundur ndikimi i politikës në drejtësinë e re

schedule23:37 - 15 Nëntor, 2023

schedule 23:37 - 15 Nëntor, 2023

Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krrashi thotë se “21 janari” duhet të rigjykohet, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Strasburgut, e cila bën përgjegjës shtetin për 4 vrasjet e ndodhura në vitin 2011.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Krrashi u shpreh se besueshmëria e shqiptarëve te Prokuroria e Posaçme (SPAK) është e madhe, ndaj dhe ky organ i drejtësisë mund ta marrë këtë çështje për ta hetuar.

Lidhur me ndikimin e politikës në drejtësinë e re, Krrashi deklaroi se kjo është e pamundur.

“Gjykata e Strasburgut tregoi që procesi gjyqësor që është mbajtur në Shqipëri për ngjarjen e dhimbshme, të turpshme, një nga njollat më të mëdha që ka demokracia shqiptare gjatë 30 viteve, duhet të rikthehet prapë për gjykim. E rëndësishme është për 4 familjet e dëshmorëve, 4 familjet e qytetarëve që u vranë të pafajshëm, duket sikur po i vjen fundi pritjes së atyre familjeve, por edhe shoqërisë, për një ngjarje të shëmtuar të demokracisë shqiptare. Unë nuk jam i fushës, por gjithsesi, patjetër që kam një mendim. Duke pasur parasysh që SPAK sot për sot është ajo pjesë e administratës publike shqiptare, është një nga institucionet më të besuara sot për sot në Shqipëri.

Besueshmëria, është sikur ta investigojë SPAK, do të ishte më mirë. Është besimi më i madh në SPAK. E rëndësishme është që t’i shkohet deri në fund një investigimi për të zbardhur një ngjarje të shëmtuar. Ndikimi në drejtësinë evropiane, ndikimi në drejtësinë shqiptare është i pamundur për cilindo kryeministër dhe që do të jetë kryeministër i ardhshëm. Aq më pak për gjykata ndërkombëtare, por njerëzit kanë imagjinata të ndryshme dhe unë nuk mund të komentoj.

Nëse gjykata do t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të Sali Berishës, Krrashi theksoi: “Se çfarë procedure do të ndjekë gjykata, është krejtësisht në dorë të gjykatës. Është krejtësisht në dorën e ligjit se çfarë duhet bërë. Sa herë është kërkuar heqja e imunitetit për anëtarë të parlamentit, për arsye të dyshimta për përfshirje në aktivitete korruptive, parlamenti nga të gjitha anët, e ka dhënë këtë leje. Nëse kjo do të ndodhë, patjetër do të vijë në parlament dhe do t’i nënshtrohet një votimi. Parlamenti është i gatshëm të shqyrtojë çdo kërkesë që vjen, jo vetëm nga gjykata speciale, por edhe nga çdo gjykatë tjetër apo prokurori tjetër në Republikën e Shqipërisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!