Sezonin e kaluar fituan gjithçka, mirëpo këtë sezon nuk po arrijnë të fitojnë dot ndaj askujt. “Qytetarët” e Manchester City janë zhgënjyer mbrëmjen e kësaj të mërkure, që sapo lamë pas, teksa në “Villa Park” janë mundur me rezultatin minimal, 1 me 0, nga vendasit e Aston Villa, me këta të fundit, që siguruan kështu fitoren e 14-të radhazi, në “shtëpinë” e tyre.
Falë këtij 3 pikëshi, ndaj kampionëve në fuqi, të Premier League, djemtë e teknikut Unai Emery e shohin vetën në vendin e 3-të të tabelës, mirëpo, për mediat pas përfundimit të ndeshjes, pavarësisht lumturisë së fitore, spanjolli u ka kërkuar lojtarëve të tij të qëndrojnë me “këmbë në tokë”.
“Ishte një fitore vërtet e bukur, tani duhet të besojmë më shumë tek vetja. Jemi për momentin në katër skuadrat më të mira, por nëse krahasohemi me skuadrat e tjera atëherë them se nuk jemi në garë për titullin.
Patjetër që duhet të jemi të lumtur për këtë moment, por duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Të shtunën luajmë ndaj Arsenal dhe vetëm pas asaj ndeshje ndoshta mund të relaksohemi dy ditë dhe të shijojmë momentin. Por, tani në këtë pikë duhet të qëndrojmë të fokusuar”,- u shpreh tekniku, Unai Emery. /i.m /abcnews.al