Të premten seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

schedule17:00 - 9 Tetor, 2025

schedule 17:00 - 9 Tetor, 2025

Të premten, 10 tetor, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.  Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00, njoftohet në faqen zyrtare të Kuvendit.

Prej 8 tetorit ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka sqaruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët duke rrezuar veton serbe.

Edhe në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë pro, kundër apo duke abstenuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!