Të përçarë para zgjedhjeve, Lefter Gështenja në “Radar”: Nëse dalim me dy kandidatë, PD do të shkatërrohet

schedule20:27 - 4 Nëntor, 2022

schedule 20:27 - 4 Nëntor, 2022

Deputeti Lefter Gështenja ka komentuar situatën aktuale në Partinë Demokratike, ku grupet e Enkelejd Alibeajt dhe të Sali Berishës kanë deklaruar se do të dalin me lista të ndara për zgjedhjet lokale të 14 majit.

I ftuar në “Radar Informativ”’ me gazetaren Juli Xhokaxhi, Gështenja tha se opozita është e dënuar të dalë me një kandidat në zgjedhje. Gështenja shtoi se një zgjidhje nuk u arrit, pasi ka mungesë vullneti. Sipas deputetit, proceset e njëanshme vetëm e ndajnë partinë dhe nuk ndihmojnë në bashkim.

“Unë besoj që argumentat shteruese janë dhënë. Deklarata e grupit parlamentar ka qenë e saktë. Mendimi im është që ka një mungesë vullneti, për sa kohë ne kërkuam si grup parlamentar por edhe herët, para 3 muajsh, unë dhe një koleg kemi realizuar takime që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim me një kandidat të përbashkët. Ne mandatuam zotin Bardhi që të eksploronte mundësitë për të gjetur pikat e përbashkëta, me qëllim që PD por jo vetëm, e gjithë opozita, duhet dhe është e dënuar, të dalë me një kandidat. Unë besoj që zoti Bardhi e ka sqaruar mbrëmë këtu dhe nuk kishim vendosur kushte. Ajo që ne diskutojmë është se ne duhet patjetër të përfshijmë të gjitha palët. Sa kohë bëjmë procese të njëanshme, nuk bashkohemi, por ndahemi”, tha ai.

Gështenja nuk u shpreh kundër primareve që Sali Berisha dhe grupimi i tij do të mbajnë për të dalë me kandidatët e zgjedhjeve. Megjithatë, deputeti tha se primaret duhet të ishin në kushtet ideale dhe një proces i rregullt.

“Nuk jam kundër primareve. Ajo që dua të theksoj është se primaret mund të ishin në kushtet ideale, kur ka procese të rregullta. Ndërkohë, që ne e dimë që në 32 vite nuk ka pazur procese zgjedhore ekselente”, tha Gështenja.

Deputeti shtoi se problem themelor në PD është kriza e legjitimitetit mes palëve, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Ai u shpreh se kjo krizë nuk zgjidhet 6-7 muaj para zgjedhjeve, kur nuk është arritur të zgjidhet brenda një viti.

“Një nga problemet themelore që ka PD është kriza e legjitimitetit mes palëve. Palët nuk njohin njëra tjetrën. Nuk arrijmë ta zgjedhim në 6-7 muaj para zgjedhjeve. S’kemi arritur ta zgjidhim brenda një viti. Nëse kjo do ishte dëshirë e një personi kjo do ishte zgjidhur. Ka mungesë vullneti. Ne mendojmë ndryshe por jemi të djathtë, nuk kemi arsye që të jemi të ndarë”, tha Gështenja.

Ai u bëri thirrje kolegëve të mos mendojnë për interesa personale, ndërsa paralajmëroi se nëse PD del me kandidatë të ndryshëm në zgjedhjet vendore, ky do të ishte shkatërrimi i partisë.

“Nëse Shqipëria është drejt shkatërrimit si rrjedhojë e keqqeverisjes së Edi Ramës, PD do shkojë drejt shkatërrimit nëse do të dilte me dy kandidatura. Secili nga ne duhet të bëjë një hap pas, të mendojë përtej interesave personale. Në politikë kurrë nuk thuhet kurrë, duhen harxhuar të gjitha energjitë, duhen eksploruar të gjitha mundësitë që ne të gjejmë një gjuhë të përbashkët. PD është e ndarë edhe në bazë. Është në gjendjen më të keqe të mundshme në 32 vjet. Këtë duhet ta themi me zë që ta shërojmë”, tha Gështenja. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!