Kryeministri Edi Rama, nga Berati, në takim me përfaqësues të teknologjisë, deklaroi se sektori publik ka shënuar progres në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, por diçka e tillë nuk ka ndodhur në sektorin privat.
Rama u shpreh se tashmë sektori publik, është i pavarur në shërbimet digjitale.
“Unë jam shumë krenar që kemi bërë progres. kemi Cloud tonë në shërbimet tona digjitale, jemi të pavarur. Por jam i vetëdijshëm sa boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat. Ndërkohë që po forcojmë mbrojtjen tonë në sektorin publik, sektori privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Mund të kemi një ofertë për sektorin privat. Ajo që do ju kërkoja, është që të jeni totalisht të hapur. Ne ju kemi ftuar që të na flisni shumë hapur. Ju e keni edhe lirinë të thoni atë që doni, që mendoni, nuk keni varësi nga ne. Mendoj që ia vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi 3 herë në vit, për të diskutuar mbi çështjen dhe mbi të rejat, qofshin për mirë, qofshin të keq”, theksoi ai./abcnews.al