Të pathënat e Tinka Kurtit rrëfehen në ditarin e bashkëshortit

schedule16:12 - 22 Janar, 2022

schedule 16:12 - 22 Janar, 2022

Nga Leontina Nika

Shpesh gratë mbajnë shënime për jetën e bashkëshortëve, por në rastin e zonjës së skenës dhe ekranit, Tinka Kurti janë ndërruar rolet, është artisti i njohur shkodran, Palokë Kurti i cili për 40 vite ka shkruar në një ditar, të pathënat e skenës e sheshxhirimeve të Artistes së Popullit. Së bashku me këto kujtime pasqyrohen edhe rrënjët e teatrit.

Ishte 15 vjeç kur Palokë Kurti u dashurua me të, ajo kujton edhe batutën që i tha në kohën kur shumë djem të tjerë i kishin sytë drejt saj. “Unë martohem me atë që ka sobë të bardhë”.

Ditari i Palokës i mbajtur me përpikmëri, fillimisht humbi  e më pas ajo refuzonte ta shfletonte për këto arsye.

“Kishte 5 vjet që ai ditar kishte humbur pas vdekjes së burrit tim dhe më në fund me shumë halle dhe shumë luftëra e kam marrë. Nuk e kam prekur sepse aty janë emocione të jashtëzakonshme. Ai iku herët. E donte shumë”, thotë Tinka Kurti.

Ishte këmbëngulja e gazetares Anila Mema, që ky ditar të shoh dritën e botimit në prag të 90 vjetorit të Tinka Kurtit

Arritjet në art i ndan me shoqet e saj, e fjalë të mira thotë për aktoret pasardhëse.

Nuk harron fillesat dhe mbështetësit që nuk e lanë me u bë muratore.

Nuk harron edhe vlerësimin që mori nga Mehmet Shehu, kur interpretoi në Durrës, Marjanën te shfaqja “Kopraci”. Vlerësim i cili ndryshoi edhe mendimin e regjisorëve për artisten e re.

Megjithëse kishte interpretuar karaktere të vogla në Teatrin Migjeni , rol jete cilëson Filen te “Toka Jonë” të Kolë Jakovës

Më pas fiton të drejtën për të interpretuar Tanën tek filmi i parë shqiptarë të cilën thotë se e luajta sipas qejfit tim

Por nga mendja nuk shkul lehtë jetësimin e Nënë Pashakos”, nga portretizimi i shumë nënave që ajo ka realizuar në teatër e film

Jeta Tinka Kurtin e vuri përballë dallgëve të mëdha, humbja e të birit Zefit i copëtoi zemrën. Por ajo nuk harron dhe kujton mbështetjen nga shteti shqiptar në ditët e saj më të vështira.

Ministria e Kulturës në shenjë mirënjohje vlerësoi  aktoren për galerinë e pasur të roleve që skaliti në skenë dhe ekran .

Përmbylljen artistja e mirënjohur e bën me një poezi dedikuar Nënë Terezës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!