Të paktën dy të vrarë nga një valë e madhe bombardimesh ruse në Ukrainë

schedule09:01 - 20 Dhjetor, 2024

schedule 09:01 - 20 Dhjetor, 2024

Të paktën dy njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur mëngjesin e së premtes në një valë të madhe bombardimesh ruse në kryeqytetin e Ukrainës dhe në rajonin jugor Herson.

Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

Rusia i hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev, tha kryetari i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

Qytetet ukrainase janë duke u përballur me sulme të vazhdueshme raketore dhe me dronë, ndërsa forcat ukrainase, të pakta në numër dhe armë, po hasin në vështirësi për ta frenuar përparimin e shpejtë të ushtrisë ruse në lindje të vendit.

Një person u vra nga një sulm në qarkun Holosiv të Kievit. Disa shpërthime u dëgjuan në kryeqytet, sipas dëshmitarëve.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se dy njerëz u plagosën si pasojë e sulmeve në katër pjesë të tjera të qytetit.

Në Herson, një burrë 60-vjeçar u vra nga një sulm rus, ndërsa dy të tjerë u plagosën, raportuan autoritetet rajonale./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!