Të paktën 120 persona me të vjella në urgjencën e Krujës, banorët: Dyshojmë tek uji

schedule18:39 - 25 Tetor, 2021

schedule 18:39 - 25 Tetor, 2021

Për dy ditë në urgjencën e infektivit dhe atë të pediatrisë të spitalit të Krujës janë paraqitur rreth 120 persona me diarre dhe të vjella. Fluksi i pazakontë i personave me të njëjta simptoma konfirmohet për ABC nga infeksionistja Mimoza Tali.

Mjekia sqaron se të gjithëve ju është dhënë ndihma e parë e më pas janë dërguar në banesat e tyre ku do vazhdojnë mjekimin. Dyshohet se shkak mund të jetë ndotja e ujit të pijshëm.

“Kam tre kalamajtë e vëllait dhe vëllain. Vetëm bark e të vjella, nuk dimë gjë tjetër,” thotë një banore.

“Thuhet që uji,” thonë banorët kur pyeten për shkakun.

Epidemiologët kanë dërguar në ISHP një kampion  të ujit për t’u analizuar dhe mësuar nëse ka përmbajtje bakteriologjike apo jo.

Policia e Krujës edhe pse raporton një shifër shumë herë më të ulët të pacientëve sesa ajo që deklaroi mjekia për abc, vetëm 35 sqaron se ka ngritur një grup hetimor. Sipas policisë grupi ka shkuar në spitalin e Krujës dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut.

Gjithashtu për situatën kanë vënë në dijeni organet e shëndetit publik dhe të AKU-së. Policia sqaron se janë në pritje edhe të rezultateve të analizave të ujit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!