Të moshuarve mbi 75 vjeç nuk do t’u skadojë pasaporta deri në fund të jetës

schedule19:30 - 8 Shkurt, 2021

schedule 19:30 - 8 Shkurt, 2021

Qeveria ka çuar në Kuvend ndryshimin e kontratës me kompaninë “Aleat” për ndryshimin vizual për vlefshmërinë e pasaportave dhe kartave të identitetit të personave që mbushin 75 vjeç. Për këtë kategori periudha e vlefshmërisë do të jetë pa afat. Në ndryshimin e kontratës kompania bie dakord të bëjë ndryshimin vizual të pasaportave biometrike dhe letërnjoftimeve për këtë kategori, pasi prodhimi teknologjik i tyre nuk është bërë i mundur.

“Shoqëria koncesionare i ka paraqitur autoritetit dy zgjidhje teknike të ndryshme (një zgjidhje të shpejtë dhe një zgjidhje komplekse që kërkon kohë, angazhim teknik dhe financiar), duke konsideruar se sistemi është projektuar dhe zbatuar për të prodhuar një dokument identiteti prej polikarbonati (i skalitur me lazer dhe me çip të brendshëm) me një jetëgjatësi të kufizuar për një periudhë maksimale deri në 10 (dhjetë) vite dhe nuk ka zgjidhje teknike dhe teknologji të realizueshme që mundëson lëshimin e një karte identiteti biometrike me certifikatë të kualifikuar dhe të besueshme (për një periudhë kohore të pakufizuar), në përputhje gjithashtu edhe me standardet ndërkombëtare të industrisë dhe zgjidhjet teknike të zbatuara në vendet e tjera të BE-së.

Autoriteti ka rënë dakord të zbatojë një zgjidhje të shpejtë që konsiston vetëm në një ndryshim vizual të afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç, sipas korrespondencës që përmendet në paragrafin “E” të këtyre parashtresave, e pasqyruar në këtë shtesë kontrate dhe në shtojcën e re 24 (Karta e identitetit për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç), e cila do të bëhet pjesë përbërëse dhe thelbësore e kontratës së koncesionit” thuhet në relacion./ db/ Abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!