Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç këtë të premte ka zhvilluar një konferencë për mediat ku ndër të tjera ka folur edhe në lidhje me Kosovën dhe takimin që do të zhvillohet të mërkurën në Bruksel.
Vuçiç në fjalën e tij ka vënë theksin tek aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në fabrikën “Ivo Lola Ribar” në Zubin Potok, duke thënë se vjen një ditë pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se pret konsultime për të gjitha veprimet e FSK-së dhe Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në situatën e sigurisë.
“E kanë sekuestruar, e kanë vulosur, është fabrikë e vjetër, nuk ka mjete të reja. Dëshira e tyre është të tregojnë se nuk ka kufij për ta”, tha ai dhe shtoi se arrestimet e serbëve, për krime të vjetra kanë vazhduar.
“Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, ka pasur 401 sulme ndaj serbëve dhe se janë bërë 41 tentime për përshkallëzimin e krizës në veri, por edhe se ka pasur 15 sulme ndaj fëmijëve serbë”,ka thënë presidenti serb.
Ndër të tjera ai ka theksuar se nga autoambulancat janë konfiskuar mallra, si dhe ka pasur sulme të drejtpërdrejta ndaj punonjësve të shërbimit shëndetësor, si dhe është tentuar që të ndërpritet puna e shëndetësisë serbe në Kosovë./abcnews.al