Burgu i Shënkollit duhet të mbyllet sa më parë, ndërsa personat që trajtohen aty duhet të transferohen në një strukturë të specializuar shëndetësore.
Ky është përfundimi i Avokatit të Popullit, pas inspektimit në këtë institucion, që e quajti një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
“12 veta në një dhomë, kushte denigruese për të drejtat e njeriut, shkelje direkte e të drejtave të njeriut. Kjo duhet të mbyllet në mënyrë urgjente, duhet urgjent një ndërhyrje. Këtu të kemi një spital me siguri të shtuar, jo një burg me dy psikiatër. Ka mungesë ekstreme të stafit, ka kushte të rënda, një pjesë është për t’u shembur”, thotë Avokati i Popullit.
Sipas Avokatit të Popullit, këta persona nuk janë të dënuar me burg, por ndaj tyre është vendosur masë mjekësore për shkak të gjendjes së shëndetit mendor. Për këtë arsye, sipas tij, ata nuk duhet të trajtohen në një institucion të sistemit penitenciar, por në një spital psikiatrik me siguri të shtuar.
“Nuk duhet të jetë një IEVP. Këtu janë persona që s’po vuajnë dënimin, po janë persona ndaj të cilëve është marrë një masë mjekësore, sepse nuk kanë zotësi për të vepruar, pra nuk kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Kushtet janë degraduese. Po inspektojmë sot, do inspektojmë edhe nesër. Kam komisionerin për parandalimin e torturës, edhe vjet ka qenë i njëjti realitet”, shton ai.
Institucioni i Shënkollit, që dikur funksiononte si burg i zakonshëm, prej vitesh përdoret për akomodimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masa mjekësore. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, modeli aktual i funksionimit nuk garanton trajtimin e duhur dhe bie ndesh me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në përfundim të inspektimit, ai u bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë të ndërhyjnë me urgjencë për mbylljen e institucionit në formën aktuale dhe ngritjen e një spitali të specializuar me siguri të shtuar për këtë kategori.



