“Të konfiskohen asetet ruse”, Basha: Mesazh jo vetëm për Putin, por edhe për agresorët potencial në Ballkanin Perëndimor

schedule17:15 - 26 Janar, 2024

schedule 17:15 - 26 Janar, 2024

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, përmendi vendimin e Komitetit Politik të Këshillit të Evropës, që ka të bëjë me konfiskimin e aseteve dhe pasurive ruse jashtë Federatës Ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.

Basha tha se një mekanizëm i tillë përcjell edhe një mesazh paralajmërimi për agresorët e mundshëm në Ballkanin Perëndimor.

“E para, ka të bëjë me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, një konflikt që shkon përtej asaj që kap syri. Jo thjesht një luftë midis dy shteteve por një nga qendrat më të mëdha të një konflikti të ri që po zhvillohet në nivel global. Njëra në Ukrainë dhe tjetra Lindja e Mesme. Ndarja nuk është thjesht dy palë që konfliktojnë, nga njëra anë janë fuqi autokratike që nuk besojnë tek demokracia dhe ushqejnë ambicie revizioniste në kuptimin që duan diçka që nuk e kanë dhe që mendojnë se iu takon atyre.

Çfarë ka të bëjë ky konflikt me Shqipërinë dhe interesin tonë si shqiptarë. Ka të bëjë sepse mesazhi që dërgohet nuk i dërgohet vetëm Putinit apo agresorëve në këto dy qendra të tjera të konflikteve botërore, por edhe një tjetër vatër të nxehtë siç është Ballkani Perëndimor, kur në shtator të vitit të kaluar u tentua e njëjta gjë ndonëse me volume të ndryshme siç po tentohet në Ukrainë tani apo edhe më parë gjatë pushtimit të Krimesë në 2014.

E kam fjalën për sulmin terrorist të orkestruar në Banjskë, ku qëllimi ishte të imponohej me forcë një realitet i ri në terren, një ndarje dhe pushtimi faktik i territorit të Kosovës. Ndaj mesazhi që dërgojmë përmes një instrumenti të tillë të konsisfikimit të pasurive ruse është një mesazh paralajmërimi për të gjithë agresorët në botë dhe ata potencial në Ballkanin Perëndimor.“, tha Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!