Nga Ajgena Korbi
Tirana vijon të qëndrojë në krye për numrin e të infektuarve me koronavirus, por kur llogaritë bëhen për numër popullsie të prekurit në Gjirokastër janë thuajse sa në kryeqytet. Ndërsa Lezha nuk qëndron larg tyre.
Mjekja e Institutit të Shëndetit Publik Marjeta Dervishi tregon se nëse në dy qarqet e para në 100 mijë banorë rreth 3500 rezultojnë me koronavirus në Lezhë zbulohen rreth 2600.
“Kemi një përhapje të Covid pothuajse në të gjitha bashkitë e vednit. Duhet ta shikojmë gjithmonë të shprehur në raport me numrin e popullatës. Incidencë më të lartë ka shfaqur Tirana, Gjirokastra dhe më pas Lezha”, thotë ajo.
Familja është vatra kryesore e transmetimit të virusit. Ndiqet nga institucionet dhe bizneset. Ndërsa të infektuarit në moshë të re sipas specialistëve vijojnë të rriten.
“Mosha më e prekur është 55-64 vjeç. Vërejmë që nëse do krahasojmë dy javët e para të janarit me ato të fundit të dhjetorit kemi rritje të lehtë te të rinjve’, shpjegon mjekja.
Aktualisht numri i personave me koronavirus në Shqipëri ka kaluar 27 mijë ndërsa humbjet e jetëve prej Covid 19 rezultojnë më shumë se 1300.
Incidenca:
Tiranë; 3500 raste për 100 mijë banorë
Gjirokastër; 3487 raste për 100 mijë banorë
Lezha; 2622 raste për 100 mijë banorë