Të huajt në Porto Palermo/ Turistët europianë preferojnë plazhet pranë gjirit të famshëm

schedule15:35 - 31 Gusht, 2024

schedule 15:35 - 31 Gusht, 2024

Ndonëse fundi i gushtit, plazhi në gjirin e Porto Palermos është i mbushur me pushues. Uji i kristaltë tërheq të rinjtë nga Europa.

Pas një vizite në kalanë e Ali Pashës ndalen për të kaluar disa orë në bregun pa shezlongë.

“Do të vizitonim kalanë, por pasi pamë këtë plazh kaq të bukur vendosëm të ulemi këtu. Na pëlqeu akoma më shumë që nuk duhet të paguanim për të shijuar këtë plazh. Është bukur që natyra është e lirë”, tha një turist.

“Quhem Miro dhe jam nga Holanda. Para se të vija po kërkoja për plazhe të lira pa pagesë në këtë zonë dhe tani jam këtu. Është i vogël, por shumë i këndshëm me një pamje mbresëlënëse. Ne nuk e dimë ende historinë e kalasë, më pas do të shkojmë të mësojmë më shumë për të”, u shpreh një tjetër.

Nga plazhi i vogël me natyrën mbresëlënëse, turistët largohen me mendimin se do të rivijnë si ky i ri nga vendi fqinj.

“Jam Davide nga Italia dhe e gjej Shqipërinë një vend të mrekullueshëm, të bukur, me njerëz shumë mikpritës, shumë të qetë edhe ua sugjeroj të gjithëve të vijnë këtu. Është viti i dytë që vij këtu. Shqiptarët janë vëllezërit e italianëve.”

Ndër të rrallët plazhe me hapësirë të gjithën publike, Porto Palermo është kthyer në një pikë ndalese për të gjithë pushuesit në jugun e Shqipërisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!