Shqipëria është bërë një vend tërheqës për punonjësit e huaj. Nga të dhënat rezulton se nga vendi kanë emigruar rreth 40 % e fuqisë punëtore duke detyruar qeverinë që të lidhë marrëveshje dhe të lehtësojë procedurat për marrjen e punonjësve nga vendet e treta për të plotësuar nevojat e bizneseve.
Shumë prej punonjësve rezultojnë se vijnë nga India, Filipinet dhe Pakistani, dhe janë të punësuar në sektorë të ndryshëm, si peshkimi, ndërtimi dhe turizmi.
Një pjesë e konsiderueshme kanë zgjedhur Vlorën ndërsa shprehen se dëshirojnë që të tërheqin edhe familjet e tyre.
Të punësuar në sektorë të ndryshëm, ata shprehen të kënaqur me kushtet që kanë gjetur, ndërsa sipas statistikave vetëm në Vlorë janë rreth 800 të huaj të punësuar një numër që pritet të rritet ndjeshëm me afrimin e sezonit turistik. Disa prej tyre janë të vendosur në Vlorë prej një ose dy vitesh, ndërsa të tjerë kanë mbërritur vetëm disa muaj më parë.


