Një samit të jashtëzakonshëm e ka konsideruar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Samitin e BE që po mbahet këtë të premte në Tiranë.
“ Kam më shumë pritshmëri për sa i përket një lloj balanci nga ana e BE-së sepse siç e dini, Kosova është nën masa, Serbia nuk është. Kjo e prish balancin në tryezën e dialogut. Kam më shumë shpresë që edhe nga zonja Callas edhe nga përfaqësuesi i ri për dialogun, do të shtyhet më shumë përpara heqja e masave dhe trajtimi i barabartë i palëve. Sa i përket Republikës së Kosovës, pavarësisht faktit që jemi 100% të linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, fatkeqësisht ka një bllokadë totale.
Nga ana e BE-së nuk vlerësohet reforma, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti që jemi 100% të linjëzuar me politikat e tyre. Sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe politikave të tjera, për fat të keq po i jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë sepse më shumë po hapet dera për ata që shkojnë në Moskë dhe te Putini, sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përveç BE-së.
Të gjitha kërkesat që BE i ka bërë në raport me heqjen e masave ndaj Kosovës ne i kemi plotësuar. Në qershor bëhet një vit, që edhe vet përfaqësuesi i BE-së kërkojnë gjëra absurde. Kërkojmë de-eskalim, në fakt ne nuk jemi ata që kemi eskaluar situatën, por edhe pse nuk e kemi krijuar atë situatë në veri të Kosovës, Kosova ka ndërmarrë hapat që janë kërkuar nga Marrëveshja e Bratislavës. Edhe vet zotëri Borrell, ka propozuar të hiqen masat duke u bazuar në plotësimin e kritereve”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës.
“Nga Shqipëria kërkojmë të vijojë përkrahjen dhe të flasë sa më shumë dhe më zëshëm me shtete që nuk e kanë njohur kosovën. Dialogu nuk do të jetë sot temë në samit, nuk ka takime dypalëshe me Vucic.”. tha ajo.

