Të gjithë paskan pritur të fliste Luli!

schedule19:00 - 12 Janar, 2024

schedule 19:00 - 12 Janar, 2024

Nga Mero Baze

Nuk më kishte shkuar mendja që Lulzim Basha do ngjallte kaq shumë interes me një konferencë shtypi. Opozita e cila duket e dërrmuar, e përgjumur dhe mbi të gjitha e poshtëruar nga një plak që del në majë të ballkonit dhe i detyron gjithë besnikët e tij, ta shikojnë nga poshtë lart, paskësh ende energji për luftë. Dhe befas i shpalosi ato.

Nuk i shpalosi ndaj Edi Ramës, as ndaj plakut që kakaris si gjeli majë ballkonit, por ndaj Lulzim Bashës, që minimumi është një prej tyre në opozitë.
Këta besnikët e Saliut që rrinë poshtë ballkonit, reaguan keq se ai (Luli) paskësh thënë që nga ana njerëzore më vjen keq për Berishën që u katandis kështu.

Kjo i kishte tërbuar dhe i kishin lëshuar Luçianon që Luli të pranonte jo vetëm që nuk i ka ardhur keq, por është gëzuar. Madje ka të dhëna që ai ka festuar dhe Vitin e Ri duke qeshur, ndërkohë që Berisha është në arrest shtëpie.

Flamur Noka ishte tërbuar pse ai u zgjua nga gjumi një ditë pasi tha Rama që ai po fle gjumë. D.m.th Muli e donte të vazhdonte gjumin, që mos të ngatërrohej nëpër këmbë.

Gazmend Bardhi njësoj si Muli ishte i shqetësuar se Lulin dikush e kishte nxjerrë të fliste, se nuk ka mundësi që s’ka folur gjashtë muaj.

Dhe tre- katër nuanca të tjera opozitare brenda grupit të deputetëve, duken të shqetësuar pse ky foli.

Dhe të gjithë këta të alarmuarit, janë këta që flasin për nevojën e bashkimit të opozitës.

Sapo njëri prej tyre, po e quaj minimalisht kështu Luzlim Bashën, bëri thirrje të bashkohen rreth qëndrimeve parimore për të mbështetur drejtësinë dhe për të bërë reformën zgjedhore, të gjithë ju turrën për ta vrarë.

Kjo të lë të kuptosh se heshtja e Lulit paksa qenë pasuria e vetme e tyre. Fakti që ai foli, ata i ka çrregulluar sikur u ka prishur të ardhmen e jetës.

E gjithë kjo tregon se heshtja e Lulit paska qenë pak e dyshimtë pasi i ka shërbyer shkuarjes së tyre në oborrin e Berishës (por jo deri tek rrugica), ndërsa fakti që ai foli qenka më keq se sa që ka marrë vulën dhe siglën e PD.

Por më e dyshimtë është gjithë ky shpërthim vreri ndaj një njeriu që drejton së paku një fraksion opozitar, të mos e quajmë të gjithën.

Si do bashkohen këta, kur janë të gjithë vigjilentë mos i bën dikush hije Sali Berishës dhe mbi të gjitha, si do krijojnë klimë bashkimi, kur vjellin vrer ndaj një kolegu të tyre vetëm pse foli.

Vërtet Luli e ka kthyer në ngjarje të folurin dhe kjo është ana problematike e tij, por më problem për këta kolegët e tij qenka të folurit. Kjo i shqetëson shumë, nderkohë që të gjithe mendonim se problemi i Lulit ishte të mosfolurit.

Me dukshëm kjo shfaqet tek Gazmend Bardhi i cili po përgjon vdekjen politike te Saliut, si Beria që përgjonte në shtratin e vdekjes Stalinin në minutat e fundit të jetës, dhe e mallkonte kur bindej se kishte vdekur, dhe i kërkonte ndjesë kur e shikonte që ishte ende gjallë. Ky befas është bërë trim me Lulin. Dhe madje e akuzon se bashkëpunon me Edi Ramën.

Është e qartë që Lulzim Basha nuk e mund dot i vetëm Edi Ramën. Nga ana tjetër Ramës i duhet që Lulzim Basha të jetë me sa më pak aleatë në opozitë. Dhe sikur Rama t’i paguante të gjithë këta që ju turrën përsipër sapo foli, nuk do ta kishin bërë kaq mirë punën e tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!