Thomas Strakosha e ka përjetuar shumë keq golin e pësuar në fund. Një gabim në dalje i “gardianit” të Lazios i dha mundësinë Cenk Tosun të na ndëshkonte në minutën e fundit të ndeshjes.
Pavarësisht gabimit, lojtarët e tjerë të kombëtares kanë shkuar për t’i dhënë zemër portierit. Për të ngritur moralin e tij kanë menduar edhe Tifozët Kuq e Zi.
Të pranishëm edhe sonte si gjithmonë, ata nuk reshtën së përkrahuri ekipin kombëtar. Në fund janë mjaftuar me një postim të shkurtër në faqen e tyre zyrtare. Thomas Strakosha dhe një zemër përkrah emrit është komenti i tyre i shkurtër dhe kuptimplotë.
Gabimet ndodhin në futboll dhe Strakosha duhet të vazhdojë përpara. Ashtu si edhe djemtë e tjetër, të cilët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe meritonin më shumë nga ky duel. 24-vjeçari foli pas ndeshjes për Supersport, duke pranuar fajin dhe duke hedhur shikimin drejt ndeshjeve të radhës.
STRAKOSHA – Portieri i Lazios dhe kombëtares, protagonist në golin e pësuar, tha për Supersport: “Ekipi ka luajtur shumë mirë. Ata kishin nevojë për mua dhe nuk i ndihmova dot. Jam shumë i mërzitur. Shpresoj t’ia dalin në ndeshjet në vijim”.
“Të gjithë erdhën dhe më folën. Kush gabon nuk duan ta bëjnë të ndihet më keq. Jam 24 vjeç, kam më shumë eksperiencë dhe nuk duhet ta kisha bërë. Gjynah që më ndodhi të gaboj me kombëtaren. Fola me babain, e di që kam gabuar. I ka ndodh edhe atij. Tani të shohim përpara”. /abcnews.al