Frenkie De Jong është gati për “El Clasicon” e parë që do të luajë në karrierë. Mesfushori i talentuar holandez analizon sfidën kundër Real Madrid në një prononcim për Barça TV, aty ku tregon edhe përballjen më të bukur që ka shijuar nga TV.
Nesër do të zbresë në fushë dhe 22-vjeçari i Barcelonës ndalet edhe te disa tema të tjera si Messi, përshtatja me ekipin e ri dhe efekti “Camp Nou”. Ish-lojtari i Ajax ka kujtime të bukura nga “Los Blancos”, të cilët i eliminoi sezonin e kaluar në Champions League pas fitores 1-4 që arriti ekipi holandez në “Santiago Bernabeu”.
MESSI – “Çdo skuadër që përballet me Messin ka frikë, të njëjtën gjë do përjetoja dhe unë. Leo është shumë i rëndësishëm për ne. Nuk befasohem më kur arrin të shënojë nga tre gola për ndeshje”.
EL CLASICO – “Jam shumë i emocionuar që do të luaj ‘El Clasicon’ time të parë. I kam ndjekur nga TV këto përballje dhe më e mira ka qenë fitoja 5-0. Familja ime do të jetë prezentë në stadium, aty ku do të krijohet një atmosferë speciale. Është gjithmonë e veçantë të luash kundër Real Madrid. Do të tentojmë të dominojmë ndeshje, të qarkullojmë topin dhe të krijojmë sa më shumë raste për të zbavitur tifozët tanë”.
ELIMINIMI I REALIT – “Kam kujtime të bukura nga fitorja me Ajax në Madrid. Ishte një ndeshje e veçantë, padyshim ndeshja më e mirë që zhvilluam sezonin e kaluar. Të gjithë u surprizuan nga suksesi ynë”.
CAMP NOU – “Na ndihmon shumë fakti që luajmë në këtë stadium, e dinë edhe kundërshtarët tanë. Është stadiumi më i madh në Europë, po zhvillojmë ndeshje pozitive këtë sezon dhe po shpresojmë të vazhdojmë kështu për të gëzuar tifozët”.
PËRSHTATJA – “Niveli na La Liga është më i lartë se në kampionatin holandez. Të gjithë duan të fitojnë, pavarësisht se kë kanë përballë. Njerëzit që më qëndrojnë pranë më kanë ndihmuar të përshtatem dhe jam pritur shumë mirë nga të gjithë”. /abcnews.al