Gentian Selmani la Laçin në verë dhe nisi një aventurë në Turqi. Portieri i talentuar po vijon karrierën me Menemenspor, ekip që garon në divizionin e dytë të futbollit turk dhe synon ngjitjen në elitë.
21-vjeçari ka postuar në rrjetet sociale një reagim në lidhje me tragjedinë e ndodhur në Shqipëri si pasojë e tërmeteve. Shokët e skuadrës kanë pozuar duke bërë shenjën e shqiponjës, një veprim i bukur të cilin e vlerëson edhe Selmani.
“Dua të falënderoj skuadrën time Menemenspor për solidaritetin e treguar në tërmetet që kanë ndodhur këto ditë në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për viktimat e kësaj katastrofe. Zoti ju dhëntë forcë të kaloni këtë traumë dhe vuajtje të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e zemrës. Së bashku jemi më të fortë!“, shkruan portieri i kombëtares shqiptare. /abcnews.al