“Open Banking” lejon konsumatorët të aksesojnë e menaxhojnë paratë e tyre kudo. Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Jonida Kaçani, zëvendës drejtore departamenti i mbikëqyrjes në Banka e Shqipërisë, foli për “Open Banking”, duke shpjeguar rëndësinë që kjo ka për qytetarët. Gjatë intervistës në studio, ajo theksoi se tashmë janë shtuar shërbimet për qytetarët shqiptarë.
“Modernizimi i sistemit të pagesave ka qenë një objekti i rëndësishëm i BSH. Një zhvillim kryesor ka qenë dhënia e mundësisë të asaj që shumë herë i referohemi Open Banking, apo bankingu i hapur. Lidhur me këtë Banka e Shqipërisë ka tashmë shumë vite që po punon, dhe në këtë drejtim arritja ka qenë miratimi i ligjit të ri në 2020 për shërbimet e pagesave. Ishte ky ligj që solli shumë të reja, aspekte të ridimensionuara krahas shërbimeve që ishin të njohura dhe aplikoheshin . Ligji i ri solli shërbimin e pagesës dhe njëkohësisht shërbimin e informimit të llogarisë. Janë dy shërbime të reja që mund të kryheshin dhe nga operatorë që ishin të licensuar në treg, por krahas tyre ky proces duhej formalizuar. Këto dy shërbime rrisin gamën apo menynë e zgjedhjeve që kanë klientët shqiptarë që të kontrollojnë të dhënat e tyre, duke krijuar mundësinë e ndarje të atyre të dhënave bankare që më parë janë mbajtur nga banka. Pra bankingu i hapur është një model i shërbimit financiar që krijon mundësinë e ndarjes së të dhënave financiare të klientit, bazuar në një pëlqim paraprak të tij”, u shpreh ajo.
/abcnews.al/