Zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck është zgjedhur si kandidati për kancelar i Të Gjelbërve për zgjedhjet e parakohshme të 23 shkurtit.
Habeck fitoi 741 nga 768 vota në një konferencë të organizuar me nxitim nga partia.
Në një fjalim ministri tha se ishte i vetëdijshëm që vitet e fundit e kishte humbur besimin e qytetarëve në koalicionin qeveritar, por donte të merrte përgjegjësinë si një kandidat që përfaqëson njerëzit në Gjermani.
Habeck, baba i katër fëmijëve dhe autor i librave për fëmijë, me doktoraturë në letërsi dhe filozofi, hyri në koalicionin tre-partiak të Olaf Scholz si zëvendës kancelar në vitin 2021.
Habeck mori gjithashtu postin e ministrit për ekonominë dhe veprimin për klimën, me plane ambicioze për të dekarbonizuar ekonominë më të madhe të Evropës.
Por koalicioni qeverisës së shpejti u përball me kriza të shumta – nga pandemia e Covid-it deri tek përgjigja ndaj pushtimit i Rusisë në Ukrainë, i cili i dha fund rrjedhës së gazit të lirë rus në Gjermani.
Habeck u detyrua të blejë me shpejtësi burime alternative të energjisë, duke kërkuar gaz nga vendet e Gjirit dhe duke ngadalësuar mbylljen e termocentraleve me qymyr në Gjermani.
Kandidati i të Gjelbërve për kreun e qeverisë gjermane u shpreh i hapur për aleanca të reja pas zgjedhjeve, duke përfshirë negocimin e një koalicioni qeveritar të udhëhequr nga konservatorët.
Pavarësisht nga perspektiva e zymtë ndërkombëtare, problemet ekonomike në Gjermani dhe përparimi i kufizuar në luftën kundër ngrohjes globale, 55-vjeçari Robert Habeck shprehu optimizëm për të ardhmen e vendit dhe i ofroi opozitës bashkëpunimin e tij për të reformuar ligjin që kufizon borxhin e ri kombëtar për financimin e projekteve të nevojshme të infrastrukturës.
Habeck do të drejtojë fushatën zgjedhore të të Gjelbërve së bashku me Annalena Baerbock, ministren e Jashtme aktuale gjermane, e cila ishte kandidate e partisë për Kancelarinë në zgjedhjet e mëparshme. Të Gjelbrit arritën atëherë 14.8% të votave, ndërsa tani sondazhet i japin nga 11% deri në 12%, edhe pse me një trend rritës./abcnews.al