Të droguarit me makina luksoze nëpër rrugët e Shqipërisë, Qato në Abc Live: Gjobat, jo për të mbledhur para. Tre akuzat ndaj Ajas Sulejmanit

schedule11:43 - 9 Maj, 2022

schedule 11:43 - 9 Maj, 2022

Aksidenti i djeshëm në Tiranë ku një i droguar me një makinë super luksoze përplasi në mes të vijave të bardha një familje ka shkaktuar reagime të forta te qytetarët, të cilët kërkojnë nga policia që të ashpërsojë masat ndaj shoferëve të tillë.

I ftuar në Abc Live, kreu i Policisë së Rrugore, Altin Qato tha se puna e efektivëve në rrugë vijon intensivisht për zbulimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit. Ndërkohë që tha se Ajas Sulejmanit iu hoq patenta për dy vite, krahas tre veprave penale, për të cilat akuzohet.

Qato theksoi gjithashtu se krahas shoferëve, rregullat duhet të zbatohen edhe nga përdoruesit e tjerë të rrugës, siç janë këmbësorët. Kreu i Policisë Rrugore tha se ka shume këmbësore në rruget e vendit që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit në rrugë.

“Nuk po e lidh me rastin e djeshëm, pasi ata që u aksidentuan dje ishin tërësisht brenda rregullave dhe u përplasën te vijat e bardha, por dua të theksoj se krahas shoferëve, duhet që rregullat e qarkullimit rrugor të zbatohen edhe nga qytetarët”, tha ai.

Qato tha se masat ashpërsohen ndaj shoferëve me shtimin e shkeljeve nga ana e tyre, ndërsa shtoi se policia nuk bën ndonjë përzgjedhje kur gjobit shkelësit.

Policia e kishte kryer detyrën me shoferin në fjalë pasi ishte gjobitur sipas përcaktimeve të Kodit Rrugor. Policia nuk mund të tregohet më e ashpër se sa përcaktimet e Kodit Rrugor”, tha ai duke shtuar se policia ka shtuar sëfundmi masat dhe kjo nuk duhet të keqkuptohet nga qytetarët.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë se Policia Rrugore nuk punon me operacione, por në mënyrë konstante. Ne nuk kemi asnjë qëllim të rrisim të ardhurat në buxhet kur vendosim gjoba, por të ndëshkojmë dhe sensibilizojme shkelësit”, tha ai.

Pas aksidentit të djeshëm, Ajas Sulejmani do të akuzohe për tre vepra penale, të cilat janë: Shkaktim aksidenti me pasoja të rënda; drejtim i makinës nën efektin e lëndëve narkotike dhe largim nga vendi i aksidentit. /abcnews.al