Vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji.
Zëdhënësja e OFL-së deklaroi sot se bazuar në aktin normativ të 31 janarit, OFL iu ka dërguar formularët 3 shtetasve me precendete penale, të cilët do duhet të plotësojnë formularin e deklarimit brenda 48 orësh.
“Abc News” mëson se personat të cilëve i është kërkuar vetëdeklarimi i pasurisë është Ervis Martini, dhe dy vëllezërit Arben dhe Valentino Kaçorri, të dënuar në Itali për vrasje dhe trafik armësh.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
– Ervis Martini, me banim në Kurbin, person në hetim për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
– A. K., me banim në Tiranë, i dënuar në Itali për vrasje;
– V. K., me banim në Tiranë, i dënuar në Itali për vrasje dhe trafik armësh;
Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.
Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi./abcnews.al