Prokuroria e posaçme I ka kërkuar gjykatës konfiskimin e 38 pasurtive në emër të katër personave të dënuar për vepra të ndryshme penale jashtë Shqipërisë. Bëhet fjalë për pasuritë e vëllezërve Kastriot e Bardhok Shota në Krujë, Pashk Gjinajt në Tiranë dhe Vaip Ormenajt në Vlorë.
Numrin më të madh prej 23 pasurish e zotëron Anton Gjinaj i njohur edhe me emrin Pashuk Gjini. Ky i fundit që njihet si biznesmen në vendin tonë në fushën e ndërtimit rezulton I dënuar në Spanjë në vitin 2010 me 8 vite e 9 muaj heqje lirie për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai u arrestua në prill të vitit 2021 në Malin e Zi, pas urdhër arrestit ndërkombetar të lëshuar nga autoritetet spanjolle, ndërsa rezulton të jetë pronar i kompanisë së prodhimit të betonit “Alesio-2014″, që është sekuestruar nga SPAK si dhe të disa shoqërive të tjera që operojnë në fushën e ndërtimit. Sipas prokurorisë, pasuritë e Gjinajt dhe familjarëve të tij, nuk kanë një nivel të justifikuar ekonomik dhe dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminale që Gjinaj ka zhvilluar në Spanjë.
Po kështu SPAK i ka kërkuar gjykatës konfiskimin e 8 pasurive të shtetasit Veip Ormënaj si dhe shumën prej 250 mijë euro. Ormënaj është dënuar në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike. Gjithashtu prokuroria e posaçme ka kërkuar konfiskimin e 6 pasurive në emër të vëllezërve Bardhok dhe Kastriot Shota, që janë hetuar dhe po gjykohen në Belgjikë, për trafikimin të lëndëve narkotike.