Të dënohet për akuzat e tjera, Abcnews.al siguron rekursin e SPAK për Saimir Tahiri: Faktet për ish-ministrin

schedule09:50 - 19 Prill, 2022

schedule 09:50 - 19 Prill, 2022

TIRANË –  Saimir Tahiri, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre, do të përballet sërish me drejtësinë.

Prokuroria e Posaçme, SPAK iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, pasi kërkon që ish-ministri i brendshëm të dënohet edhe për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike, grupit të strukturuar kriminal dhe veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal duke kërkuar dënimin me 12 vite burg. Po kështu SPAK iu drejtua me rekurs gjykatës së lartë edhe për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Abcnews.al, ka siguruar edhe arsyetimin e SPAK. Në këtë rekurs thuhet se Gjykata nuk ka bërë një analizë të drejtë të provave ndaj Saimir tahirit dhe Jaeld Çelass.

Sipas SPAK,  Shërbimet e vazhdueshme të kryera nga Artan Habilaj dhe Moisi Habilaj ndaj Saimir Tahirit me rastin e lëvizjes në Greqi në gusht të 2014 si dhe për riparimin e  varkës “Auras” , tregon se Mosi Habilaj është i përfshirë dhe angazhuar vetë drejtpërdrejt..

SPAK thotë se është faktuar se mes Moisi dhe Florian Habilaj dhe punonjësve të ministrisë së brendshme dhe policëve të Drejtorisë së Policisë Vlorë kanë pasur komunikime të vazhdueshme, që për SPAK është provë në marrëdhënien e tyre të aktivitetit kriminal.

Mes të tjerash SPAK argumenton se edhe pas shitjes së makinës, Audi me targa “AA 003 GB”, edhe pse ishte shitur tek Artan Habilaj, përdorej nga familja Tahiri në disa raste  përgjatë vitit 2014.

Po ashtu SPAK shprehet se në përgjime del se në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën datë po ashtu edhe në të njëjtën banesë kanë qëndruar Moisi Habilaj dhe familja e Tahirit nga data 08.07.2014 – 10.07.2014.

Argumentim tjetër është se në përgjime janë blerë dhurata dhe janë dhënë para për Saimir Tahirin dhe familjarët e tij.  SPAK shprehet se Gjykata ka gabuar në vlerësimin e fakteve dhe provave ku arsyeton se me provat që ishin nuk mund të provohet marrëveshja mes Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelas dhe të paktën njërit prej të pandehurve në procedimin lidhur me Moisi Habilaajn, Florian Habilajn, Sabaudin Celajn, Mardidian Sulaj, Sokol Bode, Gjergj Kohila  në kryerjen e veprave penale të trafikimit të narkotikëve.

– Tahiri është duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit, ndërsa Çela ka fituar lirinë me kusht, pasi ka përfunduar 2 të 3tat e dënimit.  Në 4 shkurt, gjykata e posaçme e apelit dënoi Tahirin me 5 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 3.4 muaj burg. Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Në vendimin e apelit thuhet se, Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilajve, por në fund u gjet fajtor vetëm për shpërdorimit të detyrës./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!