Derbi është sfida që të gjithë presin në futbollin shqiptar. Tashmë edhe klubet kanë nisur ta presin me zor, për shkak se edhe arkëtimet nga biletat kapin shifra rekord. “Air Albania Stadium” ka një kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe për sfidën e së premtes shitja e biletave ka ecur më ritme të larta.
Deri mbrëmjen e djeshme, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News, janë shitur rreth 15 mijë bileta. Mendohet se deri në mbrëmje kjo shifër mund të shkojë deri në 19 mijë dhe nesër të shitet edhe pjesa tjetër e biletave, për të pasur një stadium plot në orën 19:00.
Tirana dhe Partizani përballen për të tretën herë këtë sezon. Bardheblutë vijnë nga një seri rezultatesh pozitive dhe renditen në vendin e parë në kampionat, çka i nxit edhe më shumë tifozët e 24 herë kampionëve të vendit të jenë të shumtë në stadium.
Në kampin e kuq barazimi me Bylisin nuk ka dhënë një impakt pozitiv, por është një ndeshje derbi dhe tifozët e Partizanit nuk mund të mungojnë. Ndaj edhe pritet që sektorët që ata kanë në dispozicion, t’i mbushin dhe tifozët e pranishëm të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës. /abcnews.al