Të bësh biznes në kohë pandemie. Kjo po ndodh në Fier ku shifrat janë të ngjashme me ato të një periudhe të zakonshme duke bërë që pandemia, përtej krizës, të hapë edhe vende pune.
55 gra dhe vajza janë punësuar në këtë rrobaqepësi atëherë kur nuk e prisnin, pasi humbën vendin e punë për shkak të pandemisë.
Iniciativa për të bërë biznes në Fier nuk është frenuar, por kanë përfituar nga situata siç është rasti i kësaj fasonerie, ku kërkesat e para të tregut ishin maskat, uniformat dhe veshje higjieno-sanitare.
Guxim apo ambicie, në një qytet si Fieri, me profil tregtar që prej themelimit, duket se të gjithë duan të provojnë shansin.
“Janë hapur 55 subjekte të reja, ndërsa 26 subjekte janë mbyllur”, shprehet Besmir Avdiaj, nga krontrolli tatimor i Bashkisë Fier.
Kërkesa për produktet mbrojtëse ndaj armikut të padukshëm, rezultoi një nisje e mbarë për këtë fabrikë fason në Portëz të Fierit.
“Çdo e mirë ka edhe një të keqe dhe çdo e keqe ka dhe një të mirë kjo ndodhi me ne. Biznesi u ri u ngrit për prodhimin e maskave dhe veshjeve të mjekëve”, u shpreh menaxherja e fasonerisë në Fier.
Bare, lokale, njësi tregtare dhe shërbimi deri te biznesi fason, të hapura në këtë periudhë të vështirë, pritet të zbusin efektet e krizës që shkaktuan masat kundër koronavirusit dhe lanë papunë shumë qytetarë të Fierit.
“Është kohë krize. Përfituam që u hap kjo puna , pasi ishim në shtëpi për shkak të pandemisë”, shprehet punonjësja.
Në një kohë kur bizneset ekzistuese po përshtatin mjediset si masë kundër virusit, ato të hapura rishtas po formësohen që në fillim, me hapësira të gjera që garantojnë distancimin social.
“Jemi shumë të sistemuar. Jemi në organizimin që çdo fasoneri krijon për punëtorët e saj. Masat e vendosura për parandalimin e COVID-19 respektohen nga ne”, shprehet ajo.
Mes 55 sipërmarrjeve të reja, të regjistruar në 4 muajt e fundit, vetëm gjatë majit, në pikun e pandemisë dhe në kohën e karantinës aplikuan për të biznes 37 subjekte, kryesisht për bare, lokale, njësi tregtimi dhe fasoneri. Gjatë kësaj periudhe u mbyllën vetëm 26 subjekte kryesisht nga biznesi i vogël. Fieri renditet i dyti pas Tiranës për numrin e bizneseve dhe të ardhurave që çon në buxhetin e shtetit./abcnews.al