Flukset turistike kanë sjellë të ardhura rekord në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, në pjesën e parë të këtij viti vendi ynë ka përfituar rreth 1.9 miliardë euro. Faktor kryesor në këtë situatë ka qenë rritja e numrit të udhëtarëve, por në të njëjtën kohë shpenzimi ditor është vlerësuar në rritje.
Ekspertja për ekonominë, Elona Shehu vlerësoi shifrat por shtoi se duhet të fokusohemi te sfidat me të cilat përballet ky sektor në vendin tonë. Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ajo tha se duhet të ndërmerren politika që ndërlidhin turizmin me sektorët e tjerë.
“Do të duhet të ndalemi te sfidat që ka sektori. Pa ia zbehur aspak rëndësinë që kanë shifrat, duhet ta shikojmë të lidhur me sektorët e tjerë, me nevojën që ka për investime publike, për një bashkëpunim të mirë me agrobiznesin apo bujqësinë. Bujqësia duhet të kishte mbështetje më të madhe që të furnizonte turizmin, që të qarkullohej brenda vendit prodhimi i vendit, që të kishim një efekt zinxhir në të dy sektorët. Aktualisht tendenca është turizmi gjithëpërfshirës gjatë gjithë vitit. Për një turizëm të qëndrueshëm nuk mjafton vetëm numri i turistëve gjatë gjithë vitit, por duhet parë nëse është lidhur me sektorët e tjerë. Kjo mbetet çështje që duhet parë me kujdes në kuadër të të gjithë strategjive për turizmin.“, u shpreh ekspertja.
E pyetur nëse gjatë 2024-ës do të tejkalohen shifrat e vitit të kaluar sa i përket të ardhurave nga ky sektor, ekspertja u shpreh se e rëndësishme është që të ruhen këto tendenca që sektori.
“Për mua është të ruajmë këto tendenca që ka turizmi dhe të dimë se çfarë t’i ofrojmë turistëve. Ne ofrojmë turizëm, por a ka produkt të diversifikuar mirë që ai turisti të vijë në Shqipëri. Paketa dhe shërbimi që ofrohet është ai që duhet vendosur si theks. Operatorët e kanë si informacion për shkak të rezervimeve, për mua është që ky turizëm të reflektohet në të njëjtën masë edhe vitin e ardhshëm. Të bëjmë politika të mira që bashkërendojnë sektorët, për mënyrën se si prodhojnë dhe furnizojnë njëra-tjetrën me produktet dhe shërbimet që ofrojnë. Kjo do të krijonte qëndrueshmëri”, u shpreh ajo./abcnews.al