Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado deklaroi se rritja e pagave nuk reflektohet në kontribute. I ftuar në emisionin “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ai theksoi se rritja e të ardhurave nga kontributet duhet të jetë e qëndrueshme që të ketë edhe rritje pensionesh.
“Tashmë ka dy vjet që pagat janë rritur jo vetëm në administratë por dhe në privat, gjë e cila nuk po reflektohet në pagën kontributive. Ky është momenti i duhur që të bëhet ky aksion, që të rritet ndërgjegjësimi i opinionit publik që të mos pranojnë të punojnë me paga jo reale dhe është detyrim ligjor dhe moral që kontributet duhet të paguhen në rregull. Ne jemi të ndërgjegjshëm që pensionet janë të ulëta, por duhet gjetur burimi financiar për të rritur pensionet.
Që të rriten pensionet duhet të ketë të ardhura kontributive të qëndrueshme. Sa herë që rritet paga në ekonomi, në të njëjtën ritëm duhet të shkojnë edhe kontributet. Për shkak të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit na është rritur raporti i popullsisë. Sot kemi 30 për qind të popullsisë rezidente në Shqipëri pensionistë, shifër shumë e lartë.”, u shpreh Hado.
Ai thotë se parashikohet që këtë vit të mblidhen rreth 100 milionë euro kontribute krahasuar me 2023-in.
“Nëse do të bëhet edhe një rritje, kjo shumë do të shkojë më lart. Sivjet pretendojmë që të mblidhen rreth 100 milionë euro kontribute krahasuar me 2023. Pra pensionet e reja dhe indeksimet të mbulohen me të ardhurat dhe jo nga buxheti. Çdo rritje tjetër do të jetë financim nga shteti. Prandaj është menduar që pensionistët të mbështeten me një bonus.“, shtoi Hado.
Duke u ndalur te bonusi për pensionistët, Hado shtoi se do të ketë një rritje të qëndrueshme me vitin e kaluar.
“Duke qenë se bonusi nuk është një detyrim ligjor si indeksimi i pensioneve, bonuset janë në mbështetje financiare që qeveria, jashtë programit të sigurimit, jepet për kategori të caktuara dhe 50 mijë lekëshi është i garantuar. Qeveria po shikon mundësinë për burime për bonusin, që të jetë më i lartë sesa vitet e kaluara. Bonusi do të jetë i qenësishëm.“, u shpreh ai./abcnews.al