Mariglen Buzali dhe tetë të akuzuarit e tjerë për tenderin abuziv me uniformat e policisë së shtetit këtë të premte kanë dalë para Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Avokati i Buzalit akuzoi kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) Ylber Pjeternikaj, njëri nga dy punonjësit që nuk firmosi për tenderin e uniformave të policisë së shtetit.
Sipas avokatit ai duhet të merret i pandehur dhe asnjë nga ato që janë arrestuar. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se avokati ka thënë se Pjeternikaj ka kërkuar caktimin e dy ekspertëve të fushës së tekstileve dhe pastaj pa pasur informacion në këtë fushë i ka kundërshtuar gjetjet e tyre.
LEXO EDHE:Tenderi abuziv me uniformat e policisë, Edlira Naqellari del në këtë datë para apelit të GJKKO
Pse i kërkoi ekspertët dhe pastaj nuk i mori për bazë? Ka akuzuar avokati i Buzalit. Ndër të tjera avokati ka pyetur sesi është e mundur që kryetari i (KVO) nuk ka shkruar që është kundër, por ka refuzuar firmën dhe në të njëjtën kohë njofton fituesin? Avokati ka kërkuar që ai duhet të merret nën hetim për shpërdorim të detyrës.
Ndërkohë seanca për 9 të arrestuarit për këtë tender ka nisur që në orën 11 të kësaj të premteje dhe deri më tani janë dëgjuar katër nga të akuzuarit që kërkojnë lirinë. Nga ana tjetër avokati i Flutura Çekrezit, Genc Gjokutaj kërkoi hetimin e zyrtarëve të policisë “mbasi ata e kanë dhënë urdhrin dhe kanë caktuar specifikimet” tha avokati.
Seanca vijon me dyer te mbyllura dhe ish-zyrtarët pretendojnë se nuk ka shkelje dhe se ish drejtoresha Edlira Naqellari sipas tyre, nuk ka kryer asnjë shkelje./abcnews.al