Tavo: Çështja e pronave në Himarë është kthyer në një problem ndërkufitar, jam gati të vij me dosje…

schedule22:23 - 1 Prill, 2024

schedule 22:23 - 1 Prill, 2024

Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo deklaroi në emisionin “360 gradë” në ABC News se çështja e pronave është kthyer në një problem ndërkufitar. Këtë koment ai e bëri teksa u pyet se pse pranoi propozimin e kryeministrit Rama për t’u bërë prefekt, teksa përmendi edhe shqetësimin për pronat.

Teksa po replikonte me kryetaren e PD-së në Himarë, Afrovita Dhimojani, Tavo tha se problemin e pronave ‘e keni bërë problem ndërkufitar’.

“Unë socialist kam qenë dhe jam por ka pasur momente që kam qenë shumë më tepër opozitar se opozitarët me kryeministrin dhe qeverinë aktuale. Rama më shprehu të gjithë interesimin e tij për të zgjidhur gjithë problematikën në qarkun e Vlorës dhe në veçanti në Himarë. Problemi nis që nga vazhdimësia e institucioneve dhe qeverisja e Himarës për të zgjidhur problemet dhe hallet e njerëzve, vazhdimësia jo vetëm në zgjidhjen e problemeve imediate të njerëzve. Kemi të bëjmë më një bashki dhe qark në përgjithësi me destinacion turistik bregdetar që ka të nevojshme që të drejtohet dhe të ketë angazhim të të gjithë strukturave dhe sidomos të pushtetit vendor që janë në përballje të drejtpërdrejtë me fluksin turistik dhe problemet që mund të hasën.

Për të ofruar shërbim fluksit të shtuar sivjet shumë më të shtuar se vitet e tjera, dhe përtej kësaj, çështjes së shumëpërfolur për të cilin kryeministri është i interesuar, të regjistrimit të pronave në Himarë. Rama me të drejtë ka thënë që janë bërë regjistrime dhe unë po e shoh tani që nuk janë bërë pak por shumë. Ky problem i amplifikuar që tejkalon kufijtë e Himarës dhe jo vetëm, që është krijuar një problem midis dy vendeve, është shqetësim dhe prandaj kryeministri. Se kush e ka shkaktuar, jam gati që të bëjmë një emision dhe të vij dhe të them sepse kam marrë të gjithë informacionet se çfarë ka ndodhur në Himarë. T’ju them se kush e ka fajin, të dyja palët dhe njerëzit që po ulërasin dhe po humbasin pronat. Do të vij me dosje vetëm për këtë çështje. Ju e keni bërë këtë problem ndërkufitar por është amplikuar shumë më tepër se çfarë është realisht. Në Dropull kam bërë zyrë hipoteke, të njëjtën gjë do të bëjmë në Himarë.”, u shpreh Tavo.

I pyetur nëse do të kandidojë për bashkinë e Himarës, Tavo tha:

“Jam në pozicionin e prefektit për t’i shërbyer të gjitha bashkive të prefekturës së Vlorës, pjesë e së cilës është Himara, për të zgjidhur problemet e prefekturës, Himarës dhe himarjotëve. Të bëjnë durim himarjotët se i shoh shumë të shqetësuar në lidhje me këtë çështje, të më njohin nga afër.“/abcnews.al