Taulant Xhaka luan në Ligën e Europës

schedule16:47 - 24 Gusht, 2018

schedule 16:47 - 24 Gusht, 2018

Taulant Xhaka është një hap më pranë grumbullimit në kombëtare. Shqiptari nga Kosova u aktivizua si zëvendësues në Ligën e Europës, në ndeshjen e fituar nga ekipi i tij, Bazeli.

Nuk ishte zgjedhur të ishte titullar, por gati ishte. Bazeli hyri në fushë në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Apolonit të Limasolit vetëm me shqiptarin Albian Ajeti, ndërsa Taulant Xhaka e ndoqi një pjesë të mirë të sfidës nga stoli.

Gjithsesi, trajneri Marsel Koler, vendosi t’ia jepte shansin në minutën e 66 dhe mesfushori mbrojtës hyri në lojë me dëshirën më të madhe. Dëmtimi u la tashmë pas, ndërsa minutazhi në këmbët e tij po shtohet, diçka që do ta ndihmojë pa dyshim të jetë i pranishëm në ndeshjet e ekipit kombëtar.

Me gati 30 minuta aktivizim në play off-in e Ligës së Europës, mund të thuhet se sezoni po fillon në mënyrën më të mirë për shqiptarin e Kosovës. Pak ditë më parë ai ishte në formacion në ndeshjen e Kupës së Zvicrës, ndaj edhe besohet se trajneri i ekipit përfaqësues, Christian Panucci, do ta thërrasë për takimet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Skocisë.

Bazeli e fitoi ndeshjen 3-2 me përmbysje, ndonëse pritet ta ketë shumë të vështirë në takimin e kthimit në Qipro. Një lajm i mirë për kombëtaren, e cila ka pasur mjaft lojtarë të dëmtuar dhe jashtë forme kohët e fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!