Pak ditë më parë, Taulant Balla tha nga foltorja e Kuvendit se Sali Berisha mund të shpallej “non grata” edhe nga Bashkimi Europian. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, u pyet sot nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë të tij, ndërsa u shpreh se është depozituar në Parlamentin Evropian një iniciativë e cila kërkon që personat e shpallur non-grata nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, të kenë të njëjtin “fat” edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Taulant Balla, është i bindur se shumë shpejt edhe Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare do t’i bashkëngjiten SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në dënimin e personave të korruptuar dhe që minojnë demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
“Unë mendoj se për çështje të karakterit të luftës kundër korrupsionit, minimit të demokracisë, SHBA-ja dhe BE-ja koordinohen mes tyre. Ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Evropian ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur non-grata nga SHBA-ja apo të përfshirë në instrumenta të tjerë që SHBA-ja po implementon për të identifikuar këdo që punon në dëm të demokracisë, natyrshëm një gjë e tillë do të ndodhë edhe në BE. Sipas vlerësimit tim një gjë e tillë nuk do të vonojë e do të ndodhë shumë shpejt. Këta persona duhet të kenë të njëjtën qasje nga Parlamenti Evropian pastaj edhe nga vendet e BE-së. Është intuitive që një gjë e tillë të ndodhë.”- tha Balla.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpall non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 Maj 2021 për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri ndërsa me 22 korrik Berisha u shpall non-grata edhe nga Britania e Madhe për lidhje të me grupe të krimit të organizuar.
/abcnews.al/