Takimet e Task Forcës së bregdetit janë zhvendosur nga veriu në jug të vendit. Nga Saranda ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi la detyra të qarta për institucionet qendore dhe vendore.
Stacioni i radhës është Saranda. Pas Velipojës përfaqësues të institucioneve mjedisore, aktorët lokal dhe Prefekti pjesë e Task-Forcës së ngritur për të garantuar një sezon veror cilësor dhe të sigurt diskutuan për t’i dhënë zgjidhje problematikave të turizmit në jug të vendit.
“Duam dhe presim që të ketë kontrata që të fillojnë të paktën nga fillimi i majit dhe të mbarojnë në fund të tetorit dhe situata është realisht me shumë probleme përsa i përket pastërtisë, përsa i përket rregullave për të qenë një destinacion. Prandaj e bëmë këtë vendim të ri të Këshillit të ministrave, i cili kërkon që të zgjidhë një sërë problematikash, por e para problematikë është ndarja e plazheve, në zbatim të këtij vendimi. Ruajtësi i plazhit është një element shumë i rëndësishëm për jetën e njerëzve, për të shtuar sigurinë në sezonin turistik. Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar se këto kontrata nuk mund të lidhen nëse nuk kanë dëshmi, që operatorët kanë zgjidhur problemin e ruajtësve të plazhit” .
Një tjetër problematikë që duhet eliminuar këtë sezon veror sipas ministrit te Turizmit dhe Mjedisit është edhe ndotja akustike.
“Muzika shumë e lartë dëmton shumë turizmin në qytete si Saranda. Vjet patëm në qarkun e Vlorës dy shembuj shumë pozitivë;l një ishte vendimi i këshillit bashkiak të bashkisë Himarë e cila përcaktoi ashtu siç duhej zonat se ku lejohej muzika dhe ku ishin zonat e kufizuara. Kishim po ashtu edhe shembullin shumë të mirë të bashkisë së Vlorës ku lënia në zonën e Lungomares, çdo të premte për muzikë non stop i dha shumë jetë fundjavës në Vlorë dhe shtoi biznesin e asaj zone. Kjo gjë kërkohet edhe sot, që bashkitë nëpërmjet këshillave bashkiakë të përcaktojnë zonën ku lejohet muzika, ku operatorët duhet të kenë muzikë me orar dhe ku pa kufizim”.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit kërkoi bashkëpunimin e të gjithë palëve me qëllim që sezoni turistik i këtij viti të rezultojë i suksesshëm./abcnews.al